Kryeministri britanik e premton dëbimin e imigrantëve shqiptarë deri në fund të vitit 2023 - NACIONALE

Kryeministri britanik e premton dëbimin e imigrantëve shqiptarë deri në fund të vitit 2023

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka paraqitur një plan se si do t'i dëbojë azilkërkuesit nga Britania e Madhe.

Sunak-u ka thënë se plani do të hyjë në funksion deri në fund të vitit të ardhshëm, kur një njësi me 400 specialistë do të formohet për t'i trajtuar kërkesat e azilkërkuesve e sidomos të shqiptarëve.

Në këtë plan pesëpikësh përfshihet edhe vendosja e zyrtarëve kufitarë në Shqipëri si mundësi për parandalimin e trafikimit me emigrantë nga ky vend.

Ky është plani 5-pikësh për parandalimin e emigrantëve shqiptarë:

Së pari, do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihen ushtria, forcat civile dhe inteligjenca.

Së dyti, emigrantëve ilegalë do t’u ndalohet të hapin llogari bankare.

Së treti, azilantët nuk do të strehohen më në hotele, por në konvikte dhe magazina ushtarake.

Së katërti, punonjësve që i trajtojnë rastet e azilit, do t'u bëhet shumë e qartë se Shqipëria është vend i sigurt. Ata që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, duhet ta dëshmojnë këtë, tha kryeministri britanik.

Së pesti, në fillim të vitit të ri, qeveria do të nxjerrë ligje për t'u siguruar që njerëzit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, nuk do të mund të kërkojnë azil atje.

Nuk është vetëm kryeministri britanik ai që e ka kërkuar përpilimin e një plani të tillë. Ky plan është bazuar në politikat e sekretares së brendshme, Suella Braverman, e cila për muaj të tërë e ka kërkuar ndalimin e emigrantëve shqiptarë dhe ashpërsimin e masave.

Në një raport thuhet se më shumë se 50 për qind e azilkërkuesve nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në Britani të Madhe përmes rrugëve ilegale, kanë marrë leje të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo është një politikë që Suella Braverman, sekretare e Brendshme, e ka propozuar në konferencën e konservatorëve.

Lajme të ngjashme