Kryediplomatja gjermane në Kiev: Nuk do të ketë pakësim të përkrahjes për Ukrainën
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se përkrahje e Berlinit për Ukrainën nuk do të pakësohet përballë pakësimit të furnizimit me gaz nga Rusia.
Kryediplomatja gjermane arriti të shtunën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për vizitën e dytë që nga marrja e postit qeveritar.
“Do të qëndrojmë me Ukrainën aq gjatë sa është e nevojshme”, tha ajo në një deklaratë, duke shtuar se në mesin e përkrahjes gjermane do të përfshihen armë, ndihmë humanitare e financiare, shkruan agjencia “Reuters”.
Në maj, zonja Baerbock u bë anëtarja e parë e qeverisë së re gjermane që e vizitoi Kievin që nga fillimi i luftës në Ukrainë, të cilën Moska e quan “operacion special ushtarak”.