Kryediplomatja gjermane e viziton Ukrainën - NACIONALE

Kryediplomatja gjermane e viziton Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, arriti të hënën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar, në atë që dukej se ishte shfaqje e përkrahjes evropiane për Ukrainën në prag të zgjedhjeve presidenciale në ShBA, që mund të sjellin ndryshime të gjera në politikën e Uashingtonit drejt pushtimit të plotë rus.

Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me armë pas Shteteve të Bashkuara dhe kryediplomatja gjermane u zotua se mbështetja e Berlinit do të mbetet e palëkundur, raporton agjencia “Associated Press”.

“Së bashku me shumë partnerë përreth botës, Gjermania qëndron vendosmërisht në anën e Ukrainës. Ne do t’i përkrahim ukrainasit për aq gjatë sa kanë nevojë për ne në mënyrë që të mund ta vazhdojnë rrugën e tyre drejt një paqeje të drejtë”- tha ajo, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.

Lufta ndodhet në një moment kritik për Ukrainën, pasi ushtria ruse po shënon përparime të ngadalshme në fushën e betejës dhe vendin e pret një dimër tjetër i vështirë, pasi Rusia pa mëshirë e ka goditur rrjetin energjetik.

Rusia po i shfrytëzon shifrat superior për t’u bërë trysni pozicioneve ukrainase përgjatë vijës së frontit. Komandanti i ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrskyi, tha të shtunën se trupat e tij po kanë vështirësi për ta sprapsur “njërën nga ofensivat më të fuqishme [ruse]” deri më tani në luftë.

Lajme të ngjashme