Kryediplomati gjerman thotë se me ShBA-në ka më shumë konsensus se mosmarrëveshje
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha të martën se ka më shumë konsensus se mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara.
“Unë vërtet po kthehem i qetë, por gjithashtu me ndjenjën se është mirë që të mbetemi në shkëmbime të ngushta në të ardhmen” – tha ai para kthimit në Berlin pas dy ditëve me takime në Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Komentet e ministrit gjerman vijnë në kohën e ngritjes së tensioneve për shkak të qëllimeve të Uashingtonit për Grenlandën, rajon autonom i Danimarkës për të cilin presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se është jetik për sigurinë e vendit të tij.
Kryediplomati gjerman përsëri theksoi se Grenlanda dhe Danimarka duhet të vendosin për të ardhmen e ishullit.
“Çështjet e sovranitetit mbi territorin e Mbretërisë së Danimarkës do të vendosen nga Danimarka, nga askush tjetër” – tha ai.
Përplasjet për Grenlandën kanë nxitur frikë në Evropë për të ardhmen e aleancës së NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike, por ministri gjerman tha se pothuajse të gjithë bashkëbiseduesit e tij thanë se duan që të marrin pjesë në Konferencën e Munihut për Sigurinë muajin e ardhshëm në Gjermani.
“Kjo e tregon interesimin e gjerë të Shteteve të Bashkuara – përtej vijave partiake – për një marrëdhënie të ngushtë me Gjermaninë dhe Evropën” – tha ai.