Kremlini thotë se Rusia e NATO-ja tash janë në “konfrontim direkt” - NACIONALE

Kremlini thotë se Rusia e NATO-ja tash janë në “konfrontim direkt”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia dhe NATO-ja tani janë në “konfrontim direkt”, tha Kremlini përderisa aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e shënoi të enjten 75-vjetorin e themelimit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve tha: “Në të vërtetë, marrëdhëniet tani kanë rrëshqitur në nivelin e konfrontimit direkt”, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas tij, NATO-ja “tashmë është e përfshirë në konfliktin përreth Ukrainës [dhe] vazhdon që të lëvizë drejt kufijve tanë dhe ta zgjerojë infrastrukturën e vet ushtarake drejt kufijve tanë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë disa herë se Rusia është mashtruar nga Perëndimi pas Luftës së Ftohtë, pasi u shpërbë Pakti i Varshavës, por NATO-ja lëvizi drejt lindjes duke marrë brenda vetes disa shtete ish-anëtare të paktit dhe tri shtetet baltike që kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Perëndimi e mohon këtë, duke thënë se NATO-ja është aleancë mbrojtëse dhe anëtarësimi në të ka qenë zgjedhje demokratike e shteteve që kishin shkulur dekada të sundimit komunist.

NATO-ja thotë se është duke e ndihmuar Ukrainën që të luftojë për mbijetesë përballë agresionit rus dhe shumë shtete të aleancës i kanë ofruar Kievit armë të avancuara, trajnime e të dhëna të inteligjencës.

Rusia thotë se këto veprime e bëjnë NATO-n de fakto pjesë të konfliktit.

Lajme të ngjashme