Kremlini thotë se do që lufta të përfundojë, por procesi i paqes ka ngecur
Kremlini tha të hënën se dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që është e mundshme, por se përpjekjet për ta zgjidhur konfliktin kanë ngecur.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, po reagonte ndaj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili të premten në një takim me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, tha: “Mendoj se lufta do të përfundojë në një të ardhme jo shumë të largët.”
Duke folur para gazetarëve, Peskovi e ritheksoi pozicionin e Kremlinit se lufta mund të përfundojë porsa Rusia t’i ketë arritur qëllimet e saj dhe se Moska do të parapëlqente që ato t’i përmbushte përmes mjeteve politike e diplomatike.
“Por tani për tani është një pauzë, situata ka ngecur. Ka ngecur jo për fajin tonë” – tha ai, duke e fajësuar Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë e hedhin poshtë akuzën e Moskës se Kievi po i bllokon përpjekjet për paqe. Asnjë takim sy më sy mes Rusisë e Ukrainë nuk është zhvilluar nga 23 korriku.
Sipas Peskovit, është Ukraina ajo që nuk dëshiron t’i vazhdojë bisedimet. “Ata po shtyhen në secilën mënyrë nga evropianët, të cilët besojnë se Ukraina mund ta fitojnë luftën dhe t’i sigurojë interesat e veta përmes mjeteve ushtarake” – tha ai.
Peskovi shtoi se një gjë e tillë është mashtrim i thellë, duke e marrë parasysh gjendjen në fushën e betejës.
Kur lufta po mbush gati katër vjet, Rusia ka nën kontroll rreth 19 për qind të territorit ukrainas dhe po bën përpjekje për t’i kapur edhe qytetet Pokrovsk dhe Kupiansk./Nacionale