Krasniqi: Vdekja e Kadaresë, humbje e madhe për lexuesit kudo në botë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se vdekja e Ismail Kadaresë është një humbje e madhe për të gjithë lexuesit në botë.
Në librin e kujtimeve, në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ai ka shprehur ngushëllimet më të thella të tij dhe të PDK-s për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kujtimi për fanarin e letërsisë shqiptare do të jetë i përhershëm.
“Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreha ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të kolosit të letërsisë shqipe – Ismail Kadare. Vdekja e Kadaresë është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, shtetin e popullit shqiptar, por edhe për lexuesit kudo në botë, të cilët takimin e parë me shkrimtarin dhe intelektualin ikonë të kombit tonë e patën në rreshtat e dhjetëra veprave të tij. Pena, imagjinata dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë na frymëzoi e na edukoi ndër breza. Ai u bë shkrimtari protagonist i letërsisë, qytetërimit dhe mendimit shqiptar, duke e popullarizuar letërsinë shqipe dhe historinë e kulturën e Shqipërisë dhe shqiptarëve në përmasa evropiane dhe botërore”, ka shkruar Krasniqi.