Krasniqi uron Ramën për fitoren në shumicën e bashkive
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka uruar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste, për fitoren në shumicën e bashkive në Shqipëri.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka përgëzuar vendin për zgjedhjet e lira dhe demokratike.
“Shqipëria përfundoi edhe një palë zgjedhje, të lira dhe demokratike, duke shënuar kështu një momentum të rëndësishëm të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike e shoqërore. Vlerësoj përkushtimin e institucioneve në garantimin dhe sigurinë që zëri i secilit qytetar të dëgjohet – drejt dhe pa ndërhyrje”, ka shkruar Krasniqi.
Ai uroi kryeministrin Rama si dhe uroi që kandidatët e zgjedhur të shpërblejnë besimin e qytetarëve me punë.
“Me këtë rast, uroj Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, për fitoren në shumicën e bashkive në Republikën e Shqipërisë. Shpresoj që besimi i qytetarëve i dhënë në këto zgjedhje për kandidatët e tyre, t’u shpërblehet me punë, përmirësim të jetesës dhe realizim të premtimeve”, shkroi Krasniqi.
