Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shkuan në Hagë si burrështetas - NACIONALE

Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shkuan në Hagë si burrështetas

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Gjykatën Speciale për padrejtësitë që ua ka shkaktuar ish-krerëve të UÇK-së për këto 5 vite.

Ai ka vlerësuar se për këto vite procesi po vazhdon të zvarritet padrejtësisht.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur dhe pa kërkuar privilegje.

“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s'e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga kjo gjykatë.

“Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë. Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë. Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme