Krasniqi: Qeveria nxiti dhunë në kuvend për ta larguar vëmendjen nga përgjimi mes Kusari-Lilës dhe Simiqit
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar dhunën në Kuvendin e Kosovës që ndodhi me 13 korrik. Ai tha se Qeveria atë ditë ndërhyri kundër deputetëve.
Krasniqi për Rubikonin e Klan Kosovës, ka treguar se si kanë vepruar ministrat e PDK-së kur deputetët e Vetëvendosjes kanë protestuar në Kuvend vite më parë.
“Edhe në ditët më të errëta të parlamentarizmit të Kosovës kur Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të dhunshme i ka penguar punimet e përfaqësuesve të popullit, kur ka hedhur edhe gaz lotsjellës, kur i ka sulmuar ministrat me shishe e me vezë, kurrë ministrat e qeverisë nuk kanë reagu”, tha Krasniqi.
Tutje, Krasniqi nënvizoi se dhuna që ndodhi në kuvend ka qenë e organizuar nga partia në pushtet për ta zhvendosur vëmendjen nga përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusarit dhe Slavko Simiqit, zyrtar i Listës Serbe.
“U zbulua një skandal i paparë i kësaj qeverisje që dëshmoi katërçipërisht që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe kanë pasur koalicion nga dita e parë së paku deri në prill të vitit të kaluar, ose në qershorin e vitit të kaluar dhe tash kur zbulohet një koordinim i msheftë, një bashkëpunim i msheftë, siç thuhet ne jemi dakorduar që ne këtë ta bëjë fshehurazi normalisht që kemi pyetje”, tha Krasniqi.
