Krasniqi: Qeveria Kurti ka diskriminuar edhe Komunë e Vitisë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti për diskriminim të komunave të cilat nuk i qeverisë VV-ja.
Gjatë vizitës që sot i ka bërë Komunës së Vitisë, Krasniqi ka thënë se edhe kjo komunë ka përjetuar një diskriminim të jashtëzakonshme nga qeveria aktuale.
Sipas tij, vetëm 4 euro për kokë banori për qytetarët e Vitisë i ka ndarë Qeveria me buxhetin e vitit të ardhshëm për projektet e reja investive.
“Ajo që edhe këtu vërehet është diskriminimi i jashtëzakonshëm që Qeveria qendrore po ua bën qytetarëve të kësaj komune, si dhe shumë komunave tjera në Kosovë. Vetëm 4 euro për kokë banori për qytetarët e Vitisë i ka ndarë Qeveria me buxhetin e vitit të ardhshëm për projektet e reja investive. Është e papranueshme, është vërtetë një diskriminim i paparë ndonjëherë dhe i cili nuk e ndihmon zhvillimin e mëtutjeshëm të komunitetit dhe të komunës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se rezultat i mospunës së Qeveria, Kosova sot ka një ekonomi në rënie.
“Fatkeqësisht ne kemi një ekonomi në rënie, rritje ekonomike prej rreth 3.5 për qind me eksport të ulët, me investime më të ulëta se në të kaluarën dhe pa perspektivë zhvillimore, andaj për këto takime ka qenë shumë e rëndësishme që të marrim inputet e ndërmarrësve, të marrim inputet e bizneseve lokale për të ofruar në të ardhmen vërtetë, jo vetëm programet dhe projektet tona konkrete, por për t’i bërë pjesë të një modeli të ri qeverisës, të cilin si parti po e implementojmë në nivelin lokal, e të cilin do ta zbatojmë edhe në nivelin qendror”, ka thënë Krasniqi.