Krasniqi: Policinë e Kosovës e kanë ndihmuar EULEX e KFOR me bukë e tesha, si për rahmet
Njohësi i politikës, si dhe profesori Milazim Krasniqi, ka shkruar sërish për situatën në veri të vendit.
Krasniqi ka numëruar disa aspekte, të cilat sipas tij janë problematike, e në të cilat po dështon shteti i Kosovës.
Sipas Krasniqit, Policia e Kosovës, u ndihmua me ushqim e me veshëmbathje nga KFOR e EULEX, si për rahmet, kurse pushtetarët po gënjejnë duke thënë se në veri është shtrirë sovraniteti si asnjëherë më parë.
Profesor Krasniqi, nuk e ka lënë pa e kritikuar edhe opozitën, duke thënë se edhe opozita po bën kërkesa jorealiste për Qeverinë, vetëm për ta goditur Qeverinë.
Krasniqi shkrimin e tij e përfundon me frazën: “Nga humbja në humbje, drejt fitores përfundimtare. Sllogan absurd, për një politikë absurde” duke kritikuar kështu Qeverinë Kurti, për veprimet e saja si dhe për narracionin të cilin po e ndërton rreth problemit në veri të vendit.
Shkrimi i plotë i Krasniqit:
Gjendja në veriun e vendit tonë nuk është vetëm e rrezikshme, nga pretendimet gjithnjë e më agresive serbe. Nga aspekti shqiptar, gjendja është e dhimbshme dhe e rëndë. Ja pse! 1. Banorët shqiptarë në veri po jetojnë në frikë dhe realisht janë të rrezikuar. 2. Policia në pikat kufitare është e izoluar dhe e rrezikuar. E kanë ndihmuar EULEX e KFOR me bukë e tesha, si për të bërë rahmet. 3. Pushtetarët po vazhdojnë të gënjejnë se atje ka sovranitet më shumë se kurrë më herët. 4. Pushtetarët po gënjejnë edhe se ka koordinim, ndërsa e vërteta është se atje ka vetëm subordinim, pra atje EULEX e KFOR atje janë pushtet, jo institucionet tona. 5. Opozita bën kërkesa jorealiste, për ta goditur qeverinë, e jo për të kërkuar zgjidhje pragmatike. Një qeveri që është përtoke, duhet të ndihmohet, edhe kur e refuzon ndihmën. 6. Qytetarëve në Prishtinë, me aq sa shihet shesheve e kafeneve, nuk po u han palla se çka po ndodhë në veri. “Nuk dalin knena” mund të dëgjosh si refren, nëse u flet për rrezikun. (Pra i bie që “anena” nuk ka dert!) Shkurt: si qeveri e si shoqëri nuk jemi kerkah. Ndër njerëzit tanë atje po vuajnë dhe shteti ynë po fundoset. Serbia po e intensifikon realizimin e projektit të saj shkatërrimtar. Komuniteti ndërkombëtar po i qorton palët, siç i qortonte policia serbët me targa ilegale, para do kohësh, pra, para se të legalizoheshin pa afat. Nëse do të duhej një slogan për qeverinë Kurti në këtë politikë në veri, ai mund të ishte: “Nga humbja në humbje, drejt fitores përfundimtare.” Pra, një slogan absurd, për një politikë absurde.