Krasniqi për Kurtin: Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes - NACIONALE

Krasniqi për Kurtin: Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se Kurti, i ka mbyllur shkollat për nxënës, por i ka hapur për zgjedhje të Vetëvendosjes.

Kjo pasi sipas tij, për Albin Kurtin karriget e pushtetit, janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë, që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij.

“Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes, sepse për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij.

E kam thënë edhe në Kuvend se Kryeministri merret me armiq imagjinarë e jo me probleme të qytetarëve. Në krizën më të madhe të arsimit që nga vitet e '90-ta, Kryeministri ushqen fantazitë e tij, larg brengave dhe problemeve që po rriten çdo ditë në Kosovë. Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Për deklaratën e Kurtit, i cila i quajti sindikalistët si të PAN-it, Krasniqi tha se nuk ka PAN, por ka grevë.

“Tash, e paska quajtur SBASHK-un sindikatë të PAN-it. Cilit PAN?! Nuk ka PAN. Ka grevë! SBASHK-u nuk po tregohet partner fleksibil, por gatishmëria që fëmijët të vuajnë, vetëm e vetëm që Albin Kurti të quhet i “pathyeshëm” nga militantët e tij, është mentalitet diktatorial.

Unë, besoj se qytetarët nuk kanë votuar që të kenë një Kryeministër i cili e lë popullin pa arsim e fëmijët pa shkollim. Jam i bindur se qytetarët nuk kanë votuar që sot të përballen me këtë mentalitet dhe tendencë të Kryeministrit për t’i nënshtruar të gjithë.

Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate. Ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri.

Lëviz nga vendi, Kryeministër! Ofro zgjidhje! Ktheji fëmijët në shkolla!”, ka shtuar tutje Krasniqi.

Lajme të ngjashme