Krasniqi për ish-krerët e UÇK-së: Deri t’i kemi përsëri fizikisht duhet punuar për shtetndërtim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, ku këta të fundit dy vite më parë janë arrestuar dhe dërguar në Hagë.
Krasniqi ka shkruar se personalitetet si Thaç, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të rallë gjatë historisë, emri dhe veprimtaria e të cilëve e tejkalon të zakonshmen, të cilët, mund edhe t’i burgosësh, por s'mund t’ua mohosh prezencën.
“Në 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes. Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka shkruar se ata ishin të zgjedhur dhe kishin një mision, një ëndërr, një lutje e amanet gjeneratash për ta jetësuar Kosovën.
“Sot, është obligim i ynë që, deri kur t’i kemi përsëri fizikisht në mesin tonë, ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën për shtetndërtim, fuqizim dhe integrim. Ky është respekti dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë emrave të tyre, sakrificës së tyre, familjeve të tyre. Këtë ua thash edhe familjarëve të tyre të respektuar gjatë vizitave të sotme te ta”, ka shkruar kreu i PDK-së.