Krasniqi për hapjen e negociatave për Maqedoninë e V.: Rikthen shpresën për liberalizimin e vizave për Kosovën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez që i hap rrugë hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.
Krasniqi ka thënë se hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është shpresë për liberalizmin e vizave për Kosovën.
“Vendimi i radhës i BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rikthen shpresën dhe besimin e lëkundur në të gjithë Ballkanin Perëndimor, posaçërisht për Kosovën që pret vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Postimi i plotë i z. Krasniqi:
E përgëzoj shumicën parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e cila sot, duke treguar vetëdije të lartë shtetërore, me shumicë votash votoi propozimin francez.
Hap, sa i rëndësishëm aq edhe historik për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat ditëve që vijnë do të hapin edhe zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duhet të vlerësojmë veçanërisht përkushtimin e deputetëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët duke lënë anash populizmin e duke u sjellë si burrështetas në një kompromis jo të lehtë, dëshmuan lidership frymëzues për tërë rajonin.
Vendimi i radhës i BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rikthen shpresën dhe besimin e lëkundur në të gjithë Ballkanin Perëndimor, posaçërisht për Kosovën që pret vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.