Krasniqi pas raportimit se është nën hetime: S'kam qenë në dijeni
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas raportimit të “Betimi për Drejtësi” se të paktën pesë ministra të Qeverisë Kurti, përfshirë vetë ministrin, janë nën hetime nga Task-Forca kundër korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.
Krasniqi ka shkruar se për një gjë të tillë po e merr vesh nga raportimi i mediave dhe se deri tani s’ka qenë në dijeni e as s’është ftuar nga ndonjë institucion hetues.
“Sapo e kuptova nga portali ‘Betimi për Drejtësinë’, që qenkam nën hetime. Deri më tani nuk kam qenë në dijeni e as që jam ftuar nga ndonjë institucion hetues. Ajo për çka jam i sigurt është që për herë të parë komunitetet po mbështeten seriozisht nga Qeveria. Ligji, transparenca dhe puna e ndershëm është baza e çdo vendimi tim”, ka shkruar ai në Facebook.
“Mbesim të përkushtuar për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve e në veçanti atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar Elbert Krasniqi.
Sipas “Betimi për Drejtësi”, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast po hetohet nga Task-forca, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.