Krasniqi pagoi gati 7 mijë euro për Facebook, eksperti i rrjeteve sociale çuditet: Pare e madhe
Nacionale pak më parë raportoi rreth shpenzimeve të shumta që Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka bërë për postimet e tij në Facebook. Minimalisht 6900 euro ka shpenzuar Krasniqi për disa muaj në sponsorizime.
E kjo shumë e ka çuditur keq Urim Buzhalën, përgjegjësin për rrjete sociale në gazetën Nacionale. I pyetur “live” për këtë metodë të Krasniqit, z. Buzhala pshërëtiu shkurtimisht, për të menduar pastaj gjatë për një përgjigje.
“Ta dërgoj me shkrim përgjigjen” – tha shkurtimisht z. Buzhala.
E në përgjigjën e tij me shkrim, Buzhala (jo Berat Buzhala, por Urim Buzhala), tha se shuma e harxhuar është e madhe.
“Duke e parë se Kryetari i PDK-së për një postim ka harxhuar 500 - 600 Euro mua më duket një shumë tepër e madhe. Në postimet e Memli Krasniqit shihet se audienca e synuar është mbi 99% Kosovë, pra një audiencë e vogël. Andaj, kjo audiencë arrihet me një shumë më të vogël dhe nëse në të njëjtin postim harxhon shumë para, atëherë ua shpërndan më shumë se një herë. Pra është pothuajse njëjtë si 7 euro ditën, ashtu edhe 20 apo 100 euro, rezultati do të jetë përafersisht i njëjtë për shkak të audiencës së vogël që ka Kosova.” – tha Buzhala.
