Krasniqi: Kosova është dashur të kishte një skenë politike më të butë
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka vlerësuar se është vështirë të kuptohet se nga burojnë anomalit në mendësinë dhe praktikën politike në vend.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se për shkak të vuajtjeve në të kaluarën Kosova është dashur të kishte një skenë politike më të butë.
Sipas tij, një vend që ka shpëtuar nga ndërhyrja NATO-s do të duhej të bëhej model i ndjeshmërisë dhe refuzuese ndaj të keqes.
“Kur e analizon skenën politike të Kosovës së çliruar në vitin 1999 e të pavarësuar në vitin 2008, e ke të vështirë ta kuptosh se nga burojnë gjithë këto anomali në mendësinë, strukturën dhe praktikën politike. Një vend i shumëvuajtur dhe i çliruar me ndihmën vendimtare të NATO-s, do të duhej të kishte në këto vite një skenë politike më të butë, më kooperuese, më të motivuar për zhvillimin e vendit dhe për shërimin e pasojave që ka lënë pushtimi i gjatë dhe posaçërisht i egër në vitet e fundit të tij. Vendi që vetëm falë ndërhyrjes së NATO-s shpëtoi nga zhbërja totale, me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb, do të duhej të bëhej model i ndjeshmërisë refuzuese ndaj të keqes, ndaj dhunës dhe model i luftës për dinjitetin e të gjithë banorëve të vet”, ka shkruar Krasniqi.
Me tej, ai ka shkruar se falja dhe durimi do të duhej të ishin kategoritë më larta morale. “Por, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ashpërsimi i komunikimit dhe i raporteve po zgjatë me vite, pa gjasa që të shkëputet nga kjo trashëgimi shumë negative. Madje edhe gjeneratat e reja, të cilat për fatin e tyre të mirë tashmë janë të shkëputura plotësisht nga ndikimi direkt i politikës serbe, nuk janë të shpëtuar nga pasojat që ka lënë mbrapa ajo mendësi, sepse ata duke imituar të preferuarit e tyre më të vjetër, tërthorazi marrin disa nga veset dhe metodat e importuara nga politika serbe. (Fragment)”, ka shkruar Krasniqi.