Krasniqi ka një shpjegim interesant për paragrafin e fundit të preambulës së Planit të BE-së
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka komentuar paragrafin e fundit të preambulës të planit të BE-së për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shprehur dyshimet e tij se ka mundur të bëhet një gabim një përkthim.
Sipas tij, referimi në një njëjës(popullit) dhe jo në shumës(popujt) në kontekstin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë e Kosovës është problematik.
“Paragrafi i fundit i preambulës së Planit franko-gjerman lë të kuptohet se çështja trajtohet si çështje e brendshme e një populli: “Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit.” (Palë mund të jenë partitë opozitare brenda një populli e shteti.) Nëse nuk është përkthimi gabim, atëherë formulimi në njëjës, populli e jo popujt, në kontekstin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë e Kosovës, bëhet brenda trajtimit të çështjes nga pikëpamja serbe. Sqhiptartë nuk janë një popull. Nuk kanë qenë kurrë një popull, as në Serbinë e Parë e as në Jugosllavinë e fundit. As në Kosovën e pavarur nuk janë një popull, minimalisht për faktin se serbët e Kosovës nuk e pranojnë Kosovën si shtet. Në instancë të fundit, shqiptarët dhe serbët janë pakthyeshëm pjesëtarë të dy kombeve të ndryshme. Njëjësi populli, nuk është lojë gramatikore a stilistike me fjalën, po është respektim qëndrimit serb në këtë proces”, ka shkruar Krasniqi.