Krasniqi i fton të rinjtë t’i bashkohen platformës "Rinia 2022" (Video)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar të rinjtë t’i bashkohen platformës "Rinia 2022", të cilën kjo parti e ka lansuar pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme për rini.
Përmes një video-adresimi drejtuar të rinjve, ai ka thënë se rinia, përmes angazhimit të hershëm politik, mund të kontribuojë për t’i ndryshuar për të mirë gjërat në shoqëri.
“Pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme të Rinisë Demokratike të Kosovës, ne po e lansojmë platformën digjitale, rinia2022.org - ku secili mund të regjistroheni e të anëtarësoheni brenda 30 sekondave. Afati për t’u regjistruar dhe për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor është deri më 20 nëntor”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, Kosovës i duhen energjia, vullneti dhe besimi i rinisë për ta përshpejtuar rrugën e zhvillimit.
“Secili që anëtarësohet, do të jetë i barabartë në ndikim, duke garuar për përgjegjësi udhëheqëse, ose duke zgjedhur ata që besoni se do t’ju përfaqësojnë më së miri në krye të Rinisë Demokratike, në Degë, ose në Qendër. Klikoni në faqen rinia2022.org, plotësojeni formularin dhe bashkohuni me ne në rrugëtimin tonë të përbashkët për një Kosovë më të mirë”, është shprehur Krasniqi.