Kraki thotë se me GUXO-n e lidh "animi historik"
Analisti nga Parisi, Nezir Kraki ka treguar arsyet për t'u bashkuar me partinë GUXO. Në një intervistë në emisionin "DPT Fidani", ai ka theksuar se deri tani ishte fokusuar në mendim dhe shkrime, por tani ka vendosur të jetë pjesë aktive e procesit politik.
Kraki thekson se me GUXO-n, e lidhin "animi historik" dhe "qasja ndaj disa figurave historike".
“Unë jam kështu qenie e politizuar skajshmërisht pasi jam rritur në ambient politik, gjithmonë e kam pa në familje dhe rreth përpjekje për të përmirësuar gjendjen e Kosovës në përgjithësi. Jam rrit me frymën e lëvizjes që ka qenë gjithëpopullore të paraluftës për konfrontim me realitetin brutal dhe terrorin shtetëror që ka ekzistuar këtu. E kam këtë historik, personal, familjar dhe ideologjik ndoshta. Me Guxo më lidh më shumë kjo, ndoshta edhe pikëpamjet e mia politike, ndoshta edhe animi historik, edhe qasja që e kam unë ndaj disa figurave historike që e kanë bërë historinë këtu, me kryesorja që është figura e Ibrahim Rugovës”, ka thënë Kraki.