KQZ: Videoja me kutinë e votimit në Rahovec paraqet material zgjedhor jo-sensitiv - NACIONALE

KQZ: Videoja me kutinë e votimit në Rahovec paraqet material zgjedhor jo-sensitiv

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shihen dy persona me një kuti votimi, duke sqaruar se materiali i paraqitur në pamje nuk përbën material zgjedhor sensitiv.

Sipas KQZ-së, përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve janë ndërmarrë menjëherë veprime për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.

“Është evidentuar se ngjarja e paraqitur në video ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec. Materiali zgjedhor që shihet në video është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili sipas procedurave të parapara shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur se për verifikimin e plotë të rastit ekzistojnë pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive, pamjet e kamerave të qytetit, si dhe dëshmitë e prezencës së Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes.

Sipas KQZ-së, këto prova konfirmojnë qartë vendndodhjen dhe rrethanat faktike të ngjarjes së paraqitur në video.

Lajme të ngjashme