KQZ njofton se 851 qytetarë kanë ndërrur Qendrën e Votimit brenda komunës - NACIONALE

KQZ njofton se 851 qytetarë kanë ndërrur Qendrën e Votimit brenda komunës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Kjo periudhë ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.

Deri më 18 korrik, gjithsej 851 qytetarë kanë ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit brenda komunës ku janë të regjistruar.

“Ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda të njëjtës komunë është në vullnetin e votuesit, kur ai e sheh të arsyeshme, për të zgjedhur një qendër sa më afër vendbanimit. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote mund ta verifikojnë apo ndryshojnë Qendrën e Votimit, përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org, ose duke dorëzuar kërkesë pranë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”.

Ndërkohë, ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejt nga KQZ. Ky ndryshim lidhet me deklarimin zyrtar të adresës së banimit nga ana e qytetarit.

Për të kaluar në një Qendër Votimi të një komune tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij përmes Zyrës së Gjendjes Civile ose platformës E-Kosova. Pas konfirmimit të adresës së re nga Shërbimi i Gjendjes Civile, ajo reflektohet automatikisht në Regjistrin Qendror Civil.

Të gjitha ndryshimet e adresës së banimit të realizuara deri më 29 gusht 2025 do të pasqyrohen në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org, dhe përkatësisht në Listën Votuese.

Lajme të ngjashme