KQZ-ja refuzon 19% të kërkesave për regjistrim të votuesve jashtë vendit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri më 1 shtator kanë pranuar 1162 aplikacione për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës përmes platformës së tyre elektronike. Nga këto parashtresa janë miratuar 940, ndërsa 222 janë refuzuar për mungesë të dokumentacionit.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, njoftoi se janë paraqitur 85 kërkesa për ndryshimin e qendrave të votimit brenda komunave. Prej tyre 69 janë miratuar dhe 14 janë refuzuar për çështje të ngjashme dokumentacioni.
Periudha e regjistrimit për votuesit jashtë vendit ka nisur më 29 gusht dhe do të vazhdojë deri më 26 dhjetor.
“Sa i përket votimit jashtë vendit, periudha e aplikimit për t’u regjistruar e cila është e hapur dhe ka filluar nga 29 gusht dhe do të përfundoj me 26 dhjetor. Deri me datën 1 shtator përmes platformës elektronike, kemi pranuar 1 mijë e 162 kërkesa për regjistrim, të cilat janë shqyrtuar dhe të refuzuara janë 222 aplikime dhe 940 kërkesa të aprovuara. Arsyet e refuzimit janë sepse dokumentet gjatë aplikimit kanë qenë të pakompletuara…Sa i përket regjistrimit edhe për ndërrimin e qendrave të votimit, deri më tani kemi pranuar 83 kërkesa ku prej tyre 69 janë aprovuar dhe 14 janë refuzuar, pothuajse arsyet janë të njëjta”, ka thënë Ahmetaj.
Ahmetaj theksoi se shumë refuzime kanë ndodhur për shkak se aplikantët e kanë keqkuptuar kërkesën për të dorëzuar një foto me letërnjoftim.
“Janë një numër i madh i aplikimeve që janë refuzuar sepse në shumicën e rasteve, në pjesën e platformës kur kërkohet bashkëngjitja e fotografisë në dokument në dorë si duket është keqkuptuar, apo nuk është informuar mjaftueshëm publiku qytetarë në lidhjen në atë se si bëhet kjo procedurë që është shumë e thjeshtë”, tha ai më tej.