Kosova së shpejti me Agjenci për Siguri Kibernetike, thonë nga MPB
Kosova pritet të bëhet me Agjenci të Sigurisë Kibernetike në kuadër të Minstrisë së Brendshme, bëri të ditur për RTK-në drejtori i Departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në MPB, Artan Dreshaj.
Kjo agjenci, me t’u funksionalizuar, synon monitorimin dhe parandalimin e sulmeve kibernetike në vend.
“Janë finalizuar dy akte nënligjore shumë të rëndësishme që ndërlidhen me themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, që do të jetë agjenci ekzekutive kombëtare, e cila do të kujdeset dhe monitorojë zbatimin e masave minimale të sigurisë prej të gjitha entiteteve. Në këtë rast, do të fokusohet tek infrastruktura kritike kombëtare. Tashmë është strukturuar rregullorja dhe është e aprovuar nga kryeministri. Aktualisht jemi duke punuar në përshkrimin e vendeve të punës, pra, do të jetë agjenci e re ekzekutive, me kapacitete të reja, që synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike”, ka thënë Artan Dreshaj.