Kosova rreshtohet në krahë të SHBA-së dhe Britanisë, mbështet sulmet kundër rebelëve Houthi
Republika e Kosovës ka dalë në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në luftimet ndaj grupit të armatosur Houth në Jemen.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes një deklarate për media ka bërë me dije se mbështet veprimet ushtarake në Lindje të Mesme të dy shteteve mike.
“Republika e Kosovës mbështet plotësisht veprimet proporcionale ushtarake të partnerëve tanë ndërkombëtarë kundër grupimit të armatosur Huth, i cili përveç që po kërcënon stabilitetin në Lindje të Mesme përmes sulmeve kundër anijeve komerciale, po pengojnë seriozisht edhe qarkullimin e lirë të tregtisë dhe mallrave, gjë që rrjedhimisht po krijon pasoja negative për ekonominë dhe fushat e tjera”, është thënë në deklaratën e MPJD-së.
Më tej, është thënë se armiqtë e demokracisë mposhten vetëm bashkërisht.
“Armiqtë e paqes, stabilitetit, sigurisë, demokracisë, rendit botëror dhe civilizimit janë armiq të të gjithëve. Vetëm së bashku mund të arrijmë që t’i mundim e të krijojmë një botë të qëndrueshme, e cila prioritet ka paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe përparimin në një botë, gjithnjë e më të globalizuar”, është thënë në deklaratë.