Kosova i ofron ndihmë Papua Guinesë së Re pas rrëshqitjes së dheut - NACIONALE

Kosova i ofron ndihmë Papua Guinesë së Re pas rrëshqitjes së dheut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në emër të vendit tonë i ka ofruar ndihmë shtetit të largët, Papua Guinea e Re, ku rrëshqitja e dheut besohet se ka shkaktuar shumë viktima.

“Ngushëllime të sinqerta Guvernatorit të Përgjithshëm, Bob Dadae, Qeverisë, dhe popullit të Papua Guinesë së Re pas rrëshqitjes tragjike të dheut që ka shkaktuar humbje jete të pamasë” – shkroi presidentja Osmani në rrjetin X.

“Kosova qëndron e gatshme për ta ofruar mbështetjen e saj për të ndihmuar në tejkalimin e këtyre kohërave zemërthyese për popullin e Papua Guinesë së Re” – shtoi zonja Osmani.

Më herët të hënën, gazeta Nacionale raportoi se autoritetet lokale në shtetin që ndodhet jo shumë larg Australisë kanë vlerësuar se rreth dy mijë njerëz mund të jenë mbuluar për së gjalli nga dheu.

Raporti i plotë i Nacionales për zhvillimet atje:

Më shumë se dy mijë persona janë varrosur për së gjalli nga rrëshqitja masive e dheut në Papua Guinenë e Re javën e kaluar, tha të hënën qendra kombëtare e fatkeqësive, përderisa terreni i vështirë dhe pengesat për dërgimin e ndihmave në vendin e ngjarjes e shtojnë rrezikun ndaj të mbijetuarve të mundshëm.

Numri i atyre që janë mbuluar për së gjalli me dhe përreth fshatit Yambali të provincës Enga, në veri të shtetit, është i mbështetur në vlerësimet e autoriteteve lokale. Shifra është rritur vazhdimisht nga e premtja, kur rrëshqiti dheu.

Një agjenci e Kombeve të Bashkuara vlerësoi të dielën se numri i të vdekurve ishte mbi 670, raporton agjencia “Reuters”.

Qendra Kombëtare e Fatkeqësive e rriti shifrën përsëri në dy mijë përmes një letre dërguar OKB-së të dielën dhe që u publikua të hënën. Rrëshqitja e dheut shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale ndaj ndërtesave dhe kopshteve të ushqimit, thuhet në letër.

“Gjendja mbetet e paqëndrueshme, përderisa rrëshqitja vazhdon që të zhvendoset ngadalë, duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm për ekipet e shpëtimit dhe për të mbijetuarit njësoj” – thuhet në këtë letër.

Rreth katër mijë njerëz ishin duke jetuar në zonën e prekur, tha të hënën drejtoresha e organizatës “CARE International PNG” për këtë shtet.

Sidoqoftë, është vështirë që të sigurohet vlerësim i saktë i popullsisë lokale, sepse regjistrimi i fundit i besueshëm i popullsisë ishte bërë në vitin 2000 dhe shumë njerëz jetojnë në fshatra të largëta malore.

Deri më tani janë gjetur gjashtë trupa. OKB-ja tha se numri i të vdekurve mund të ndryshojë, pasi përpjekjet për shpëtim pritet që të vazhdojnë disa ditë.

Lajme të ngjashme