Korenica i VV-së: Le të jetë vullnet i çifteve nëse dojnë me u la bashkë ose jo
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka komentuar kërkesën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për izolim të shtëpive nga qytetarët, si dhe fjalët e zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, që të lahen nga dy persona së bashku në mënyrë që të kursehet energjia elektrike, shkruan TëVë1.
Në një intervistë për “Info Nata” të TV 1, Korenica deklaroi se masat e fundit që janë ndërmarrë nga Qeveria nuk përfshihet subvencionimi për izolimin e shtëpive, por që kush ka mundësi ta bëjë këtë, do të ishte mirë.
“Nuk është që me këto masa që kanë marrë së fundmi për mbulimin e shpenzimeve për përballje me rrijten e energjisë elektrike nuk parashihet izolimi i shtëpive, është lënë për një fazë të mëvonshme bashkë me panele solare që do të jenë një pako tjetër që pritet të bëhet në një fazë të mëvonshme. Ata që kanë mundësi por është një gjë e mirë me izolu shtëpinë”, tha ai.
Sipas tij, deklarata e Rizvanollit ishte dashamirëse dhe njerëzit duhet të jenë human ndaj ministres.
“Po prandaj them se deklarata e ministres, le të themi qëllimshëm është përdorë për me ataku shkaku i kostos që ka vet izolimi i shtëpive, por të njëjtën kohë duhet të jemi njerëzor dhe human që deklarata ka qenë dashamirëse edhe në të njëjtën kohë ka qenë propozim për ruajtjen e kostos për mos harxhim të energjisë elektrike”, tha ai.
Deputeti, megjithatë, tha se duhet të jetë në zgjedhjen çiftit nëse dojnë të pastrohen bashkë apo jo kur vjen puna tek ideja që dy individë të pastrohen së bashku.
“Le të jetë kjo një vullnet i çifteve apo dy njerëzve që dojnë me u la bashkë, nuk është e detyrueshme. Kush nuk është i martuar le të lahet vet”, tha ai.