Koreja Veriore gjuan me artileri e dërgon aeroplanë afër kufirit me Korenë Jugore
Koreja Jugore ka thënë se ka ngritur në qiell aeroplanë luftarakë si kundërpërgjigje ndaj 180 fluturimeve ushtarake të Koresë Veriore afër kufirit të përbashkët të të dyja vendeve të premten, disa orë pasi Koreja Veriore hodhi rreth 80 pjesë artileri si shenjë proteste ndaj ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes Koresë Jugore e Shteteve të Bashkuara.
Aeroplanët e Koresë Veriore u vërejtën në disa zona në veri të “linjës taktike të veprimit”, në veri të Linjës Ushtarake të Demarkacionit mes dy Koreve, sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Koresë Jugore.
Një zyrtar i Koresë Jugore tha se fluturimet e aeroplanëve të vendit fqinj ndodhën mes orës 11 të paradites dhe 3 të pasdites, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria e Koresë Jugore tha se ngriti në qiell 80 aeroplanë, përfshirë aeroplanët luftarakë të tipit F-35A, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të fqinjit verior, ndërsa rreth 240 aeroplanë i vazhduan ushtrimet e përbashkëta ajrore me Shtetet e Bashkuara.
Dhjetë aeroplanë të Koresë Veriore bënë manovra të ngjashme muajin e kaluar, duke e nxitur Korenë Jugore që të ngrinte në qiell disa aeroplanë si kundërpërgjigje.
Koreja Veriore, gjithashtu, hodhi të paktën 23 raketa të mërkurën. Kjo është shifër rekorde për këtë shtet për një periudhë njëditore.