Koreja e Veriut konfirmon se ka dërguar trupa për të luftuar për Rusinë në luftën e Ukrainës - NACIONALE

Koreja e Veriut konfirmon se ka dërguar trupa për të luftuar për Rusinë në luftën e Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut ka konfirmuar për herë të parë se ka dërguar trupa për të luftuar për Rusinë, kundër forcave ukrainase.

Në një raport të agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA, ushtria e Koresë së Veriut pretendoi se ushtarët e saj i kanë ndihmuar forcat ruse që “ta çlirojnë plotësisht” rajonin kufitar rus të Kurskut, sipas një urdhri të dhënë nga udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, raporton televizioni BBC.

Njoftimi i Penjanit vjen vetëm disa ditë pasi komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, e çmoi “heroizmin” e trupave koreanoveriore, hera e parë që Moska e pranoi publikisht përfshirjen e tyre.

Zyrtarë perëndimorë i kishin thënë më parë BBC-së se besonin që të paktën 1 mijë nga 11 mijë trupat e dërguara nga Koreja e Veriut ishin vrarë për një periudhë tremujore.

Gerasimovi gjithashtu pretendoi që forcat ruse e kanë rimarrë nën kontroll të plotë rajonin e Kurskut, por një gjë e tillë u mohua nga Ukraina.

Duke reaguar ndaj deklaratës, Shtetet e Bashkuara thanë se Koreja e Veriut tani duhet të marrë përgjegjësi për shkaktimin e vazhdimit të luftës.

Vendimi për dislokimin e trupave në Rusi ishte në përputhje me traktatin për mbrojtje reciproke mes Penjanit e Moskës, raportoi agjencia KCNA.

“Ata që luftuan për drejtësi, janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të mëmëdheut”, citohet të ketë thënë Kim Jong Un-i, sipas kësaj agjencie.

Koreja e Veriut dhe Rusia i dëshmuan “aleancën dhe vëllazërinë” e tyre në Kursk, duke shtuar se “një miqësi e dëshmuar me gjak” do të kontribuojë shumë në zgjerimin e marrëdhënieve “në secilën mënyrë”, raportohet më tej.

Në raport thuhet gjithashtu se Koreja e Veriut do ta mbështesë ushtrisë ruse përsëri.

Agjencia KCNA nuk tregoi se çfarë do të ndodhë me trupat koreanoveriore pas përfundimit të misionit të tyre në Kursk dhe nëse këta ushtarë do të mund të kthehen në atdhe./Nacionale

Lajme të ngjashme