Konjufca: “Serbia e gatshme të shtyjë planet e Putinit në rajon; mbështetja jonë për Ukrainën bëhet edhe më kuptimplotë” - NACIONALE

Konjufca: “Serbia e gatshme të shtyjë planet e Putinit në rajon; mbështetja jonë për Ukrainën bëhet edhe më kuptimplotë”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në dy vjetorin që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur mbështetjen e popullit dhe shtetit kosovar kundër luftës së agresionit të Vladimir Putinit.

Madje Konjufca shkroi edhe se “Me një Serbi të gatshme për t' shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”.

Shkrimi i plotë:

Këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime, njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit.

Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian.

Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqëndrim, luftë dhe përçarje. Me një Serbi të gatshme për t' shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë.

Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre.

Liri Ukrainës dhe popullit të saj!

Lajme të ngjashme