Konfirmohet lija e deleve në Suharekë: AUV-i merr masa urgjente në vend - NACIONALE

Konfirmohet lija e deleve në Suharekë: AUV-i merr masa urgjente në vend

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë të deleve në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës.

Sipas AUV, prania e sëmundjes është vërtetuar pas analizave diagnostike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë. Pas konfirmimit të rastit, ekipet e agjencisë, në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe institucionet përkatëse, kanë ndërmarrë menjëherë masat për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Bazuar në Ligjin për Veterinarinë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, ka vendosur masa të përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje në territorin e Kosovës.

Ndër masat kryesore të vendosura janë ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, pezullimi i tregtimit dhe shitblerjes së tyre në tregje, si dhe vendosja në karantinë e plotë e fermave ku konfirmohet sëmundja.

Po ashtu, fermerët obligohen që të njoftojnë menjëherë veterinerët për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe të zbatojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre.

AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë hulumtimet epidemiologjike, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike për të monitoruar situatën në terren.

Megjithatë, me autorizim paraprak të inspektorëve veterinarë, do të lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat që nuk janë të prekura nga sëmundja drejt thertoreve të licencuara.

Ndërkohë, të gjithë menaxherët e tregjeve janë urdhëruar që të pezullojnë tregtimin e deleve dhe dhive deri në një njoftim të ri. Në mbikëqyrjen e zbatimit të masave do të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe autoritetet komunale në bashkëpunim me AUV-në.

Masat kanë hyrë në fuqi menjëherë.

Lajme të ngjashme