Konfirmohet: Besnik Bislimi merr pjesë në bisedimet e 19 marsit në Bruksel
Kosova do të përfaqësohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi në rundin e ri të dialogut me Serbinë, bisedime këto që pritet të mbahen më 19 mars.
Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se sipas ftesës, do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër.” – ka thënë tutje ai.
Njoftimi i plotë:
Pas takimit të 5 marsit të javës së kaluar me emisarin Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme. Ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues.
Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër.