Komuna e Malishevës kërkon ndihmë për dezinsektim e rriqrave
Komuna e Malishevës ka kërkuar ndihmë për dezinsektimin e rriqrave, pasi nga institucionet qëndrore nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet deri më tani.
Halit Mazreku, menaxher për emergjenca në Komunën e Malishevës për Radio Kosova, ka thënë se e kanë kontraktuar një firmë për dezinsektimin e 250 hektarëve.
Por sipas tij, ka më shumë nevojë për dezinsektim.
“Janë të pamjaftueshme në krahasim me 39 zona që i ka Komuna e Malishevës. Këta 250 hektarë mundohemi që t’i shpërndajmë në vatrat, zonat endemike sidomos në ato pjesë kur në të kaluarën ka pasur edhe viktima si dhe ne zona ku për momentin paraqitën raste me të shumta të infektimit nga rriqrat.” – ka thënë ai.
Ndërsa, Hajdin Berisha, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, ka kërkuar marrjen e masave nga institucionet qendrore.
“I bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë gjegjësisht ministrit të thërrasë Këshillin Ndërministror e t’i marrin masat e nevojshme për luftimin e EHKK, sepse nga niveli qendror deri me tani qe 4 vjetet e fundit nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet në këtë drejtim dhe kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Ministrisë së Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.” – ka bërë thirrje ai.