Kompania ajrore “American Airlines” anulon të gjitha fluturimet
Kompania ajrore amerikane, “American Airlines”, humbi më shumë se 3,8 për qind të vlerës së aksioneve të martën, pasi Administrata Federale e Aviacionit e ShBA-së tha se kjo kompani i ka anuluar të gjitha fluturimet në mbarë vendin.
Kompania “American Airlines” në një deklaratë tha: “Ekipet tona janë duke punuar për ta zgjidhur problemin sa më shpejt që është e mundshme dhe ne u kërkojmë falje klientëve tanë për shqetësimin”, raporton “Investing.com”.
Duke iu përgjigjur një klienti në rrjetin social X, kompania tha se “tani për tani është duke u ballafaquar me një problem teknik me të gjitha fluturimet e American Airlines”.
“Një problem teknik po i prek fluturimet e “American” këtë mëngjes” – i tha televizionit CNN një zëdhënës i kompanisë.
Administrata Federale e Aviacionit publikoi një urdhër për ndërprerje të operacioneve në nivel vendi, sipas një njoftimi këshillëdhënës. Në një deklaratë, ky institucion tha se kompania “American Airlines” kërkoi ndërprerje të fluturimeve në nivel kombëtar, por për më shumë informata, pyetjet i drejtoi te vetë kompania.
Klientët filluan që të ankoheshin në rrjete sociale të martën herët në mëngjes, duke thënë se fluturimet nuk po realizoheshin dhe raportuan për vonesa prej rreth 90 minutash.
Në një video të publikuar nga aeroporti “Fort Lauderdale” në Florida, një agjent dëgjohet duke thënë “sistemi ynë ka rënë” dhe ata po i mbajnë pasagjerët në portën e nisjes./Nacionale/Nasuf Abdyli