Komisioni Evropian i shkruan Bimbashit: Ne e kuptojmë situatën me të cilën përballet RTK-ja dhe punonjësit e saj - NACIONALE

Komisioni Evropian i shkruan Bimbashit: Ne e kuptojmë situatën me të cilën përballet RTK-ja dhe punonjësit e saj

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me situatën në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke theksuar nevojën urgjente për një model afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit për transmetuesin publik.

Në një letër zyrtare drejtuar kryetarit të SPERTK-ut, Gëzim Bimbashi, anëtarja e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Marta Kos, ka vlerësuar rolin esencial të RTK-së në mbrojtjen e lirisë së medias, pluralizmit dhe vlerave demokratike në Kosovë.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për gjendjen me të cilën po përballet RTK-ja dhe punonjësit e saj, duke përmendur problemet e kahershme financiare dhe paqëndrueshmërinë institucionale. Në këtë kontekst, Kos ka theksuar se Ligji për RTK-në duhet të rishikohet për të garantuar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi editoriale të transmetuesit publik.

Në letër përmendet gjithashtu se, sipas Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor 2025, është e domosdoshme që sapo Kuvendi i Kosovës të rifillojë funksionimin e plotë, të emërohen anëtarët e Bordit të RTK-së dhe Drejtori i Përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies institucionale.

Komisioni Evropian ka përshëndetur zgjidhjen e përkohshme të zbatuar për tejkalimin e vështirësive të menjëhershme financiare, e cila ka mundësuar vazhdimin e funksionimit të RTK-së, por ka theksuar se kjo nuk është e mjaftueshme pa reforma strukturore që do ta stabilizonin situatën financiare në të ardhmen.

Në fund, Kos ka siguruar se Komisioni Evropian do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën në Kosovë dhe të angazhohet me autoritetet vendore për forcimin e lirisë së medias dhe integritetit institucional.

Letra e plotë:

Bruksel, 23 dhjetor 2025

I nderuar z. Bimbashi,

Ju falënderoj për letrën tuaj drejtuar Presidentes von der Leyen më 15 nëntor, lidhur me situatën në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Komisioni Evropian e njeh rolin thelbësor të RTK-së si transmetues publik në mbrojtjen e lirisë së medias, pluralizmit dhe vlerave demokratike. Ne e kuptojmë situatën me të cilën përballet RTK-ja dhe punonjësit e saj, përfshirë problemet e kahershme financiare dhe paqëndrueshmërinë institucionale, dhe vlerësojmë përpjekjet tuaja për ta sjellë këtë çështje në vëmendjen tonë.

Siç është theksuar në Raportin për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor 2025, mbetet e domosdoshme të gjendet një model afatgjatë, i qëndrueshëm dhe i pavarur i financimit për RTK-në. Ligji për RTK-në duhet të rishikohet për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe për të garantuar pavarësinë e transmetuesit publik. Po ashtu, është thelbësore që të emërohen anëtarët e Bordit të RTK-së dhe Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së sapo Kuvendi të rifillojë funksionimin e plotë, në mënyrë që të sigurohet mbikëqyrje dhe llogaridhënie, duke forcuar kështu qëndrueshmërinë institucionale.

Jam e kënaqur që ndërkohë është zbatuar një zgjidhje e përkohshme për të adresuar kufizimet e menjëhershme financiare, duke mundësuar vazhdimin e funksionimit të RTK-së. Megjithatë, kam ngritur me autoritetet e Kosovës nevojën për të prezantuar zgjidhje strukturore që do ta stabilizojnë situatën financiare të RTK-së në të ardhmen.

Ju siguroj se Komisioni do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë angazhimin me autoritetet e Kosovës për të mbështetur forcimin e lirisë së medias dhe integritetit institucional.

Me respekt,

Marta Kos
Anëtare e Komisionit Evropian
Fqinjësia Evropiane dhe Zgjerimi

Lajme të ngjashme