KOMF I bënë thirrje prindërve dhe mësuesve për vëmendje të shtuar: Kjo nuk është një lojë! - NACIONALE

KOMF I bënë thirrje prindërve dhe mësuesve për vëmendje të shtuar: Kjo nuk është një lojë!

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas informatave të publikuara në media për lojën “ Sfidë apo e vërtetë” në aplikacionin ‘TikTok’, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijeve – KOMF shpreh shqetësim për përhapjen e lojës së rrezikshme e cila po nxit sjellje vetëdëmtuese tek fëmijët.

Deri tani janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar vetën në krahët e tyre me mjete të mprehta, publikojnë kështu dy shkolla 9-vjeçare, duke lajmruar se ky numër të jetë më i madh apo që ai të rritet në ditët në vijim.

I drejtohemi të gjithë fëmijëve, kjo nuk është një ‘lojë’. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të ketë pasoja që zgjasin në shëndetin tuaj. Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve” njofton KOMF në postimin e tyre.

Postimi i plotë:

𝐊𝐎𝐌𝐅: 𝐏𝐞̈𝐫𝐡𝐚𝐩𝐣𝐚 𝐞 𝐥𝐨𝐣𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐟𝐞̈𝐦𝐢𝐣𝐞̈𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐓𝐢𝐤𝐓𝐨𝐤, 𝐭𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐯𝐞̈𝐦𝐞𝐧𝐝𝐣𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐭𝐮𝐚𝐫!

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, ka ndjekur me shumë shqetësim informatat e publikuara në media mbi përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxit sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve.

Deri tani, sipas publikimeve në dy shkolla 9-vjeçare, janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar krahët e tyre me mjete të mprehta. Megjithatë, ekziston mundësia që ky numër të jetë më i madh apo që ai të rritet në ditët në vijim, duke qenë se loja qarkullon online dhe është e qasshme në telefona, pajisje të cilën shumë fëmijë e posedojnë.

I drejtohemi të gjithë fëmijëve, kjo nuk është një “lojë” . Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të ketë pasoja që zgjasin në shëndetin tuaj. Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve.

KOMF i bën thirrje të gjithë fëmijëve që të raportojnë tek prindi apo mësuesi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet e tyre janë të përfshirë në këtë lojë. Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj!

KOMF i bën thirrje të gjithë prindërve të monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe të flasin më fëmijët për këtë “lojë”, rreziqet dhe dëmet që ajo sjell.

KOMF i bën thirrje prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve të mandatuara, të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë. Po ashtu, kërkojmë të sigurohet komunikim dhe koordinim intensiv dhe i vazhdueshem mes palëve të sipërpërmendura, në mënyrë që çdo rast i ri të referohet në kohë për të marrë shërbimet dhe ndihmën e nevojshme.

KOMF po ashtu u bënë thirrje institucioneve që të zbatojnë me përpikmëri Udhëzimin Administrativ (QRK) Nr. 04/2022 për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës.

Lajme të ngjashme