Komandanti i KFOR-it: Komunitetet në Kosovë ndajnë shpresë të përbashkët për një të ardhme paqësore
Në përfundim të mandatit të tij, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Ozkan Ulutash, bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e të gjithë aleatëve të NATO-s, si dhe partnerët që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Ndërsa komentoi zhvillimet gjatë qëndrimit të tij, Ulutash tha se “komunitetet në Kosovë ndajnë një shpresë të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, ndonëse, tha ai, “ende mbetën sfida”.
Ai më tej foli për punën e misionit paqeruajtës gjatë udhëheqjes së tij duke thënë se KFOR-i u angazhuar në parandalimin e rreziqeve “që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzime të tjera”.
“Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibil dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzime të tjera. Kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë, për të gjithë njerëzit”, tha ai.
“Dhe ne kemi vazhduar të ofrojmë mjedisin e sigurt të nevojshëm për përpjekjet diplomatike për të ecur përpara”, tha ai më tej.