Kodi Civil: PDK e AAK nuk e ndërrojnë qëndrimin
Deputetët e partive opozitare akoma mbesin me qendrim të njejtë lidhur me votimin e Kodit Civil.
Edhe disa deputet të Levizjes Vetëvendosje e kundështojnë këtë kod i cili parasheh mundësinë e bashkëjetesës së partnerëvë të së njejtës gjini.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kodi Civil është shumë i rëndësishmë, ndonëse ka shtuar se do të kërkojnë nga Qeveria të bëjë ndryshimin e kërkuar nga deputetët në mënyrë që të votohet ky Kod.
“Unë besoj që kodi civil është shumë i rëndësishëm dhe besoj që duhet të votohet një Kod Civil. Sigurisht që ne i dimë qëndrimet e secilit dhe janë publike derisa nuk ka një ndryshim në atë aspekt unë e kam dhënë qëndrimin”, ka thënë Lushtaku.
“Ne kemi mundësinë t’i kërkojmë Qeverisë që të vijë me ndryshimin e kërkuar nga deputet te cilët nuk e kanë votuar dhe për neve duhet të kalojë ai Kod Civil sepse është i nevojshëm dhe të mos mbetet peng për disa nene të caktuara të cilën fatkeqësisht e kanë sjellë të mos votohet një Kod Civil i tillë”, shtoi Lushtaku.
Në anën tjetër edhe Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj e ka komentuar këtë pjesë duke thënë se nuk do ta votojnë këtë Kod.
Ai ka thënë se mund ta shqyrtojnë mundësinë e votimit vetëm nëse ndryshohet, përndryshe siç thotë ai në atë formë siç është paraqitur në Qeveri, nuk do ta votojnë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil”, ka thënë Lekaj.
“Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin Civil”, tha tutje Lekaj.
Ndrysahe, në sesionin pranveror deputetët nuk e votuan Kodin, nga gjithsej 120 deputetë, vetëm 77 deputetë ishin të pranishëm në sallë.
Prej tyre, në votim morën pjesë 61 deputetë, nga të cilët 28 votuan “Për”, 29 ishin “Kundër” dhe 4 abstenuan.