Klitschko thotë se Ukraina mund të detyrohet të dorëzojë territor për paqe me Rusinë - NACIONALE

Klitschko thotë se Ukraina mund të detyrohet të dorëzojë territor për paqe me Rusinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i kryeqytetit Kiev të Ukrainës, Vitali Klitschko, i ka thënë televizionit BBC se shteti i tij mund të detyrohet që të dorëzojë territor si pjesë e një marrëveshjeje të paqes me Rusinë, në kohën e presionit në rritje nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të pranuar koncesione territoriale.

“Njëri nga skenarët është... që të dorëzohet territor. Nuk është e drejtë, por për paqe, për paqe të përkohshme, ndoshta kjo mund të jetë një zgjidhje, e përkohshme” – tha ai, raporton transmetuesi publik britanik.

Megjithatë, ish-kampioni i boksit i shndërruar në politikan theksoi se populli ukrainas “kurrë nuk do ta pranojë pushtimin” nga Rusia.

Ai po fliste dia orë pasi një sulm me raketa e dronë në Kiev la të vrarë 12 njerëz, ndërsa mbi 80 të tjerë u plagosën.

Ky ishte njëri nga sulmet më vdekjeprurëse ruse ndaj kryeqytetit ukrainas në muajt e fundit.

Klitschko tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të detyrohet që të bëjë një “zgjidhje të dhimbshme” për ta arritur paqen.

Kryetari i Kievit tani është njëri nga politikanët më të lartë ukrainas që jep shenjë publikisht se vendi i tij mund të detyrohet që të dorëzojë territor, edhe pse përkohësisht.

Kur u pyet nëse presidenti Zelensky ka diskutuar me të për ndonjë hollësi të një zgjidhjeje të mundshme, Klitschko u përgjigj drejtpërdrejt: “Jo.” “Presidenti Zelensky e bën këtë vetë. Ky s’është funksioni im” – tha ai.

Klitschko dhe Zelensky janë kundërshtarë politikë. Kryetari i kryeqytetit ukrainas disa herë i ka akuzuar presidentin dhe ekipin e tij se janë munduar ta minojnë autoritetin e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme