Klinaku, Trendafilovës: Me kanë marë e mirë, ti moti u dashtë me shku në pension
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i ka reaguar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila ka paralajmëruar Nasim Haradinajn, pas intervistave të tij në media.
Ai ka thënë se Trendafilova do të duhej të shkonte në pension, nëse do të ishte gjithçka në rregull.
“Me kanë marë e mirë, ti moti u dashtë me shku në pension”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në “Facebook”.
Në një komunikatë për media në faqen zyrtare të Speciales, thuhet se Trendafilova e ka paralajmëruar “për herë të fundit” Haradinajn që t’u përmbahet kushteve pas lirimit të tij.
Këtu, thuhet që Haradinaj nuk ka marrë leje para paraqitjes së tij nëpër intervista për media.
“Më 13 qershor 2024, Kryetarja e DHSK-së Ekaterina Trendafilova lëshoi paralajmërim të fundit për Nasim Haradinajn që t’u përmbahet të gjitha kushteve të përcaktuara në vendimin mbi modifikimin e dënimit (“Vendimi”) të dhjetorit të vitit të kaluar. Ky paralajmërim vjen pas marrjes së raporteve të shumta nga Administratorja e DHSK-së, me të cilat Kryetarja u informua për kontaktet dhe intervistat e Haradinajt me mediat gjatë disa muajve të fundit, pa kërkuar paraprakisht leje për to, sikurse përcaktohet në Vendim. Gjithashtu, Kryetarja vuri në dukje se Haradinaj u rikujtua në fillim të këtij viti për pasojat e shkeljes së kushteve të Vendimit.” – thuhet tutje.