“Kjo është katastrofë”: Disa ministra izraelitë kundër planit për shtetësinë e Palestinës - NACIONALE

“Kjo është katastrofë”: Disa ministra izraelitë kundër planit për shtetësinë e Palestinës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa ministra të Qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit të enjten e refuzuan shtetësinë palestineze pas një raportimi të gazetës së njohur amerikane, “The Washington Post”, se aleatja kryesore e Izraelit, ShBA-ja, është duke i çuar përpara planet për formimin e një shteti palestinez.

“Ne në asnjë mënyrë nuk do të pajtohemi me këtë plan, që thotë se palestinezët meritojnë një shpërblim për masakrën e tmerrshme që e kryen kundër nesh: një shtet palestinez me Jerusalemin për kryeqytet të vetin” – tha ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, raporton agjencia “Reuters”.

“Një shtet palestinez është rrezik ekzistencial ndaj Shtetit të Izraelit, siç u dëshmua më 7 tetor” – shtoi ai, duke thënë se do të kërkojë që kabineti i sigurisë, që pritet të takohet më vonë të enjten, të marrë një pozicion të qartë kundër shtetësisë palestineze.

Ministri i Punëve të Diasporës, Amichai Chikli, i cili është anëtar i partisë Likud të Netanyahut, tha: “Kjo është katastrofë, t’i shpërblesh palestinezët pas 7 tetorit përmes themelimit të një shteti.”

Kundër planit për të cilin raportoi gazeta amerikane kanë dalë edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ministri i Arsimit, Yoav Kisch, dhe deputeti Matan Kahana i Partisë së Unitetit Kombëtar të Benny Gantz-it.

Gazeta Nacionale më herët raportoi për artikullin e gazetës “The Washington Post”.

Lajme të ngjashme