Kina e akuzon shërbimin sekret britanik për rekrutim të punëtorëve shtetërorë kinezë
Kina e ka akuzuar shërbimin sekret britanik të inteligjencës, MI6, për rekrutim të punëtorëve shtetërorë kinezë si spiunë.
Përmes një shkrimi në kanalin zyrtar në rrjetin “WeChat”, Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës tha se operativë të shërbimit MI6 kthyen një burrë të identifikuar vetëm përmes mbiemrit si Wang dhe bashkëshorten e tij me mbiemrin Zhou kundër Pekinit, raporton televizioni BBC.
Të dy këta persona punuan në departamente “konfidenciale në mënyrë thelbësore” në një agjenci shtetërore kineze.
Ministria kineze pretendoi se shërbimi britanik kishte filluar ta shfrytëzonte Wang-un, kur ai kishte shkuar për studime në Britani më 2015, sipas një programi britaniko-kinez të shkëmbimit të studentëve.
Operativët britanikë i dhanë “kujdes të veçantë” atij në Britani, si ofrimi i ftesave për pjesëmarrje në darka dhe shëtitje për t’i “kuptuar interesat dhe dobësitë e tij”, pretendoi Ministria e Sigurisë Shtetërore.
Ky pretendim vjen vetëm pak javë pasi Britania akuzoi dy burra për spiunazh në të mirë të Kinës. Policia britanike i akuzon ata për ofrim të “artikujve, shënimeve, dokumenteve ose të dhënave” një shteti të huaj, ndërsa Kina i ka quajtur këto akuza “shpifje keqdashëse”.