Kimi i Koresë në rolin e komandantit në ushtrime, jep urdhër për shkrepjen e artilerisë
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, e drejtoi shkrepjen e artilerisë gjatë një ushtrimi ushtarak të ushtrisë së vendit të tij, raportoi të premten agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Në ushtrimin e zhvilluar të enjten u përfshin njësi afër kufirit që janë brenda rrezes së zjarrit të “kryeqytetit të armikut”, raportoi kjo agjenci, duke iu referuar kryeqytetit të Koresë Jugore, Seul, me gati dhjetë milionë banorë, dhe shtoi se ky ushtrim “përmbushi misione të rëndësishme ushtarake për parandalim lufte”, përcjell agjencia “Reuters”.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore tha se ushtria e fqinjit veriut hodhi gjatë testimit shumë predha nga raketahedhës dhe predha artilerie drejt Detit të Verdhë mes orës 11:00 të paradites dhe 17:00 të enjten.
Ushtria e Koresë Jugore tha se ishte duke i vëzhguar aktivitetet ushtarake të Koresë Veriore, përderisa janë duke u zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake mes ushtrive të Koresë Jugore dhe ShBA-së. Këto ushtrime, të njohura si “Mburoja e Lirisë”, nisën të hënën me numër dyfish më të lartë trupash në krahasim me vitin e kaluar.
Në anën tjetër, agjencia KCNA tha se qëllimi i ushtrimeve me artileri nga Koreja Veriore ishte që të rriten gatishmëria luftarake dhe kapaciteti për luftë.
Kimi i bëri thirrje ushtrisë që të vazhdojë me përgatitje në mënyrë që nën-njësitë e artilerisë të mund “ta marrin nismën me sulme të pamëshirshme dhe të shpejta në momentin e hyrjes së tyre në një luftë të vërtetë”.