Kimete Berisha e “harron” babadimrin, flet për kijametin “pas vizitës” tek Shefqet Krasniqi - NACIONALE

Kimete Berisha e “harron” babadimrin, flet për kijametin “pas vizitës” tek Shefqet Krasniqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje Kimete Berisha, në një shkrim në faqen e saj në Facebook, e paralajmëroi një viztë tek Shefqet Krasniqi, imam i njohur i Prishtinës. Madje, në shkrim, blogerja e famshe theksoi se është veshur si “babadimër”, pasi ditë më parë hoxhë Krasniqi e kishte quajtur plakun trashalluq e mjekërbardhë (pra babadimrin) si “babadreq”.

Nuk dihet nëse një vizitë e tillë është realizuar me të vërtetë, pasi nuk ka asnjë foto apo video të publikuar nga vizita e paralajmëruar e Berishës. Por gjuha e Berishës sot ka ndryshuar. Zonja e njohur ka tingëlluar porsi hoxhë (ose hoxhonicë) në postimin e saj të fundit në Facebook.

Madje, në një gjuhë “shefqetiane”, ajo ka shkruar rreth kijametit apo ditës së fundit të gjithësisë sipas besimit islam.

Çka shkroi sot zonja Berisha?

Ish-gazetarja, që tash është edhe opinioniste, shkroi për shtatë shenjat e kijametit, duke listuar disa nga shenja që i thekson edhe feja islame. Pra zonja Berisha tingëllon sikur të ishte ndonjë dijetare e jurisprudencës islame (fihkut), që jep intepretime eskatologjike mbi ajetet e ndryshme të Kuranit që flasin rreth ditës së fundit të botës.

“Sipas saj, një nga shenjat e kijametit është mbisundimi i injorantëve karshi të mençurve. Ja çfarë shkroi Berisha: Shtatë shenjat e Kijametit që po i vërej vet: 1. Koha po kalon shpejt. 2. Injorantët po i mbisundojnë të mençurit. 3. Marrëzia u bë modë. Institucionet, mediat dhe televizionet u japin famē budallenjëve. I mençuri u përjashtua, u izolua, u la në lloç. E kanë Institucionalizuar bullizmin, thashethemet, akuzat, ofendimet, mizogjininë, sadizmin, mazohizmin, padijen, llukizmin, pabarazinë. Nëse s'dukesh bukur - nuk ekziston. Nëse s'je budalla - nuk je interesant. 4. Paraja u bë zot - Ideali më i madh. 5. Krejt janë djallëzuar. Nuk dihet më kush është Dexhalli. 6. U zhduk besnikëria. Shumica e burrave të rrejnë në sy - pa asnjë zor, shumica e grave vazhdojnë të mbijetojnë duke e aktruar durimin. 7. Jo rrallë herë u lakmon atyre që kanë shkuar prej këtuhi - e kanë heq gajlen.

P.S. Mrekulli sot është NJERIU NORMAL.”

Ndryshe dje zonja Berisha e kritikoi z. Krasniqin për shkak të qëndrimeve të tij ndaj babadimrit.

“P.S. Jam veshur si babadimër dhe jam nisur drejt shtëpisë së imamit Shefqet Krasniqi. Imami duhet të shërohet nga frika prej Babadimrit, dhe nga urrejtja për krishterët.

Nëse e keni ditur se krishterizmi është 'i keq' pse ua keni kopjuar komplet 'përrallën' e Librit të Shenjtë!

Nuk besoj se nuk ma çel derën kur më sheh.

Nijetin e kam të mirë.”- shkroi ajo.

Lajme të ngjashme