Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Bordin Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh), të cilët i kanë dhënë mbështetje Qeverisë për nënshkrimin e aplikimin për anëtarësim në BE.
Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se bordi i këshillit ka vlerësuat se koha e aplikimit për anëtarësim në BE është e duhur.
“U theksua besimi se momenti është i duhur, duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon. Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë shprehu mbështetjen e pakursyer për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, duke tregua për temat tjera që janë diskutuar në takim.
“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të nismave në mbështetje të proceseve integruese të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehu kënaqësinë dhe përkrahjen e plotë për aplikimin e sotëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, është thënë në njoftim.