Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e shkarkon Agron Bekën
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk e ka shkarkuar anëtarin jo-prokuror Agron Beka.
Në takimin e jashtëzakonshëm që ka mbajtur sot, KPK-ja ka vlerësuar se kërkesa e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e tij ka qenë tendencioze.
Sipas njoftimi për medie, kërkesa e komisionit ka paraqitur tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial në Kosovë.
“Në mesin e shumë provave voluminoze që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione të rëndësishme shtetërore, të cilët, paraprakisht, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, e të cilët deri sot e kësaj dite nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente, përkundrazi, mosveprimi i tyre ka shkaktuar krijimin e situatave për inicimin e procedurave në organet e sistemit të drejtësisë”, është thënë në komunikatën për media të KPK-së.
Sipas KPK-së, në rastin konkret nuk ka asnjë shkelje të dispozitave të Kushtetutës.
“Lidhur me shkeljet e pretenduara nga Komisioni, KPK-ja, njofton opinionin e gjerë publik se, në rastin konkret nuk ka asnjë shkelje të dispozitave të Kushtetutës, Ligjit të KPK-së dhe të akteve tjera nënligjore, por hipotetikisht, edhe po që se do të kishte shkelje, qoftë edhe në të ardhmen nga ndonjë anëtar i KPK-së, organi apo institucioni i vetëm kompetent (në bazë të legjislacionit në fuqi) për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij, si institucion kushtetues dhe i pavarur”, është thënë në komunikatë.