Këshilli i Sigurisë kërkon "vëmendje dhe gatishmëri" pas sulmit ndaj Postës së Kosovës në Zveçan
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar mes tjerash për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, në dritën e sulmit të fundit dy granata dore në zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan.
Përballë këtyre zhvillimeve, Këshilli i Sigurisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet dhe mekanizmat "ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë."
"U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje.
Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë." - thuhet në komunikatë mes tjerash.