Kërkohet rritje e pagave në sektorin privat e publik
Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna ka thënë se duhet të rriten pagat e punëtorëve në sektorin privat dhe publik.
Në një prononcim për Radio Kosovën, Rafuna ka thënë se sa i përket rritjes së pagave, ka rekomandime edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ai tutje ka thënë se gjendja në sektorin privat nuk është edhe aq e keqe siç paraqitet, ndonëse shton se sektori privat ka lëvizur dhe do të lëvizë tutje.
“Duhet të lëvizë edhe sektori publik dhe ka rekomandime dhe nga FMN që t’i rrisë pagat, përveç kësaj e ka obligim ligjor. Nuk është gjendja e keqe në sektorin privat ashtu siç paraqitet, flas brenda mundësive në një situatë të jashtëzakonshme siç jemi. E rëndësishme është se sektori privat ka lëvizur dhe do të lëvizë tutje. Në rast se paraqitet nevojë për prodhim, atëherë sektori privat ka nevojë për punëtorë dhe atyre që veç janë duhet t’ua rrisë pagat”, ka theksuar Rafuna për Radio Kosovën.
Në anën tjetër edhe Besart Dreshaj nga Aleanca Kosovare e Bizneseve ka kërkuar që urgjentisht të ketë rritje të pagave, pasi inflacioni është i lartë.
“Duke u bazuar në raportin e ekspertëve të jashtëm që kanë rekomanduar, duhet urgjentisht të bëhet rritja e pagave, sepse duhet ta përcjellim trendin e inflacionit. Edhe qeveria edhe sektori privat duhet t’i rrisin pagat”, është shprehur Dreshaj.