Kërkohet paraburgim ndaj serbit që importoi armë nga Serbia - NACIONALE

Kërkohet paraburgim ndaj serbit që importoi armë nga Serbia

1 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj një serbi nën dyshimet për “import, eksport dhe shitje të paautorizuar të armëve”.

Në një njoftim të publikuar në media, thuhet se armët janë importuar nga Serbia.

“Prishtinë, 23 Korrik 2026 - Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, pas zhvillimit të hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave materiale, më 22.07.2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar në flagrancë personi i dyshuar me inicialet Z.M., shtetas i Republikës së Serbisë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materiale plasëse’’, nga neni 364 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, armët e zjarrit janë importuar nga Republika e Serbisë dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa sot më 23.07.2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë Gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materiale plasëse’’, nga neni 364 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme